90 minutësh për të qenë ende në garë për objektivat në Divizionin B. Kombëtarja shqiptare synon të marr maksimumin mbrëmjen e sotme në Tbilisi në orën 18:00. Një fitore për të shpresuar qëndrimin jo vetëm në këtë nivel të Ligës së Kombeve, por edhe për të mbajtur gjallë shanset e fitimit të grupit. Mundësi që do i jepte automatikisht kalim një divizion më lart dhe kualifikim në play-off e Kupës së Botës 2026.

Trajneri Sylvinho pritet të bëj ndryshime në formacionin që do të hedh në fushën e lojës. Skema mbetet sërish e njëjtë, me brazilianin që qëndron fanatik ndaj një 4-3-3. Në përgatitjet e fundit, stërvitja u fokusua te përgatitja atletike, ndërsa më pas te loja me top dhe provimi i situatave apo skemave të ndryshme të lojës, duke provuar edhe goditjet në portë. Arbër Hoxha pritet të rikthehet nga minuta e parë, për të ulur në stol Qazim Laçin.

Mesfushori nuk ka bindur në humbjen ndaj Republikës Çeke dhe vendin e tij pritet ta marrë pikërisht anësori i Dinamos së Zagrebit. Ky besohet se është edhe ndryshimi i vetëm për Sylvinhon që konfirmon pjesën tjetër të skuadrës.

Në këtë mënyrë formacioni do të formohet nga Strakosha në portë, Hysaj, Ismajli, Kumbulla dhe Mitaj në mbrojtje, Ramadani, Asllani e Bajrami në mesin e fushës, teksa në majën e sulmit pritet rikonfirmimi i Dakut e në ndihmë të tij Asani. Emocione që do t’i përjetoni ekskluzivisht dhe falas në ekranin e Televizionit kombëtar Klan.

Klan News