Bona Miekley-n e njohim si udhërrëfyese për jetën dhe është një prej mikeshave të përhershme të programit “Rudina” në Tv Klan për tema të ndryshme. Ajo e ka përmendur shpesh motrën e saj binjake,  Brunin dhe për herë të parë, e prezanton edhe me publikun.

Sapo hynë në studio, mes tyre ishte e vështirë të bëje dallimin pasi ndryshimi i vetëm ishte ngjyra e flokëve. Ngjashmëria fizike është një aspekt i lidhjes së tyre si binjake. Ato kanë edhe një marrëdhënie e ndjeshmëri shumë të fortë me njëra-tjetrën, të cilën Bona e përshkruan hollësisht me fjalët më të bukura.

Bona Miekley: Të qenët binjake është një ndër ndjesitë më të veçanta në botë them unë sepse mendo pak dy bebe që janë në të njëjtën vezë që marrin frymë pak a shumë në të  njëjtin moment, vijnë në jetë në të njëjtin moment, që kanë atë prekjen që kur kanë qenë bebe së bashku me njëra-tjetrën, luajnë dhe pastaj nuk e di, ndodh diçka sepse kemi pak a shumë të njëjtat ndjesi, e kuptojmë njëra-tjetrën edhe pa folur fare. Shpeshherë sëmuremi në të njëjtën ditë, në të njëjtin minutë. Është një ndër ndjesitë më të bukura dhe mbi të gjitha të kesh një motër binajke është dhurata më e bukur sepse është mikesha jote e zemrës sepse ta njeh zemrën edhe pa e shprehur, ka të njëjtën ndjesi  vetë.

Bona tregon se edhe në rastet kur sëmuren, ndodh njëkohësisht. Ajo ndan një episod kur edhe pse larg fizikisht, patën të njëjtin shqetësim shëndetësor.

Bona Miekley: Një ndër eksperiencat shumë interesante ka qenë  kur në atë kohë unë jetoja në Kosovë dhe pata diçka në vesh, më dhimbte veshi dhe nuk po e duroja dot. Kur më mori Bruni në telefon, i thërras “sissy” sepse në anglisht “sister”, i thashë unë sissy, nuk jam mirë, “pse, çfarë ke”, më tha mua, më dhemb veshi, “ua” tha, “edhe mua më dhemb veshi kaq shumë”. Ishte veshi i majtë në të njëjtën kohë dhe unë nga  kurioziteti e pyeta në çfarë ore ka filluar dhimbja e veshit dhe pikërisht ishte në të njëjtën kohë./tvklan.al