Progres-raportin e Komisionit Europian, opozita e konsideron si pasqyrimin me të qartë të shqetësimeve që i ka nxjerrë dhe protesta kombëtare. Jorida Tabaku, e akuzon shumicën socialiste se ka ngadalësuar ecurinë e procesit të integrimit.
Për Tabakun, vullneti i shumicës për të dialoguar me opozitën tregohet duke zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. E në fakt menjëherë pas konferencës së Tabakut, socialistët e mblodhën Këshillin e Legjislacionit për të shqyrtuar 3 vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Ndryshe nga opozita, kryeministri e cilësoi progres-raportin e këtij viti si vlerësimin më të mirë që i është bërë ndonjëherë Shqipërisë, sipas tij janë vlerësuar reformat dhe përpjekjet e qeverisë që synojnë ta bëjnë vendin anëtare të BE brenda kësaj dekade.
Progres-raporti kishte vlerësime të mira në disa fusha, më së shumti sa i takon punës së SPAK-ut për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, rritjes ekonomike apo politikës së jashtme, por vërehej frenim apo ngadalësim në përpjekjet e bëra për lirinë e medias.
Tv Klan