Të hënën në Luksemburg përfaqësues të disa prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian do të mblidhen në një mëngjes informal pune për të diskutuar mbi qëndrimin që këto shtete do të mbajnë për hapjen e negociatave të Shqipërisë në parg të samitit të Këshillit Europian. Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias tha në përfundim të konferencës ditore për sigurinë që u mbajt në ishullin e Rodosit, se nga grupi që kundërshtonte hapjen e dritës jeshile për Shqipërinë kanë mbetur vetëm dy vende.

“Ka patur një letër të përbashkët të Gjermanisë, Francës, Hollandës, Danimarkës dhe Luksemburgut, të cilat e shihnin si problem hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ndërkohë, tre nga pesë vendet, Luksemburgu, Danimarka dhe Gjermania, janë tërhequr nga ky grup dhe nuk kanë më kundërshtime të forta, por gjithsesi mbeten Holanda dhe Franca”.

Shefi i diplomacisë zbuloi se edhe diskutimet me homologun shqiptar Ditmir Bushati ishin fokusuar më së shumti tek perspektiva europiane e Shqipërisë.

“Ka patur shumë diskutime mbi takimin që kisha me homologun shqiptar Ditmir Bushati. Dua t’ju them se nuk u fokusuam shumë tek marrëveshja dypalëshe që pritet të arrijmë, por na preokupoi më shumë si do të mbështesim Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit, sepse ka një seri kundërshtish nga vende anëtare të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë”.

Ambasadorët e vendeve të BE-së që u mblodhën para pak ditësh në Bruksel mbështetën verisonin e një rekomandimi tê kushtëzuar  për Shqipërinë, por pa një datë konkrete për hapjen e negociatave.

Tv Klan