Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behxhet Pacolli, ka qëndruar të martën për vizitë në Mal të Zi, ku është pritur nga homologu i tij, ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Srgjan Darmanoviç.

Në qendër të bisedimeve ndërmjet shefave të diplomacive të dy vendeve ka qenë çështja e demarkacionit të kufirit mes Malit të Zi dhe Kosovës.

Në deklaratën për media, pas përfundimit të takimit, Darmanoviç është shprehur se demarkacioni për këtë shtet është punë e përfunduar.

“Unë besoj se institucionet kosovare do të marrin vendimin për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit, duke u bazuar në atë se kufijtë që kanë ekzistuar në ish-Republikën Federative të Jugosllavisë janë vërtetuar nga dy komisionet tona dhe një komision ndërkombëtar. Siç kam deklaruar më herët, demarkacioni mes dy vendeve është punë e kryer”,

ka thënë ai.

Ndërkaq Pacolli ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës është i pamundur në këtë moment shkaku i raporteve të partive.

“Ne jemi të vetëdijshëm që marrëveshja është nënshkruar, por kërkojmë mirëkuptim dhe durim

”, ka thënë ai.

Pacolli ka shtuar se Kosova është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje strategjike me Malin e Zi dhe të mbajë takime të përbashkëta të qeverive të dy shteteve.

Siç dihet, Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar marrëveshjen e demarakacionit me Kosovën.

Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës nuk e ka ratifikuar akoma këtë marrëveshje, që e kishte nënshkruar Hashim Thaçi si ministër i Punëve të Jashtme dhe Skënder Hyseni si ministër i Punëve të Brendshme, për shkak të kundërshtimit të opozitës së mëparshme, të përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, si dhe disa deputetë të PDK-së dhe LDK-së.

Kryeministri i ri i Kosovës, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, me të ardhur në krye të Qeverisë së Kosovës ka shkarkuar Komisionin Shtetëror për Demarkacion dhe ka emëruar komisionin e ri, në krye të të cilit është ish-deputeti i LDK-së dhe profesori i gjeografisë Shpejtim Bulliqi.

Gjatë vizitës së tij në Mal të Zi, shefi i diplomacisë kosovare është takuar edhe me Zv./Kryeministrin dhe ministrin e Drejtësisë së Malit të Zi, Zoran Pazhin, kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviç, Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç, dhe drejtuesit e partive politike shqiptare në Mal të Zi./VOA