Kosova dhe Serbia i dhanë fund një takimi të mërkurën në Bruksel në nivel presidentësh e kryeministrash për herë të dytë brenda tetë ditësh, por pa asnjë rezultat.
Takimi i së mërkurës pasoi takimin e 24 janarit ku të dyja palët u pajtuan që të lënë tensionet prapa dhe të përqendrohen në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Pas takimit që duket të ketë qenë i shkurtër pavarësisht se ishte paralajmëruar një darkë e gjatë pune, të dyja delegacionet u larguan nga selia e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini pa asnjë koment.
Në një komunikatë të zonjës Mogherini thuhet se ajo është e “trimëruar me përkushtimin konstruktiv të të dyja palëve. Ku përkushtim dhe vullneti politik do të ndihmojë në uljen e tensioneve dhe do të punojmë në këtë frymë”, thuhet në komunikatë në të cilin nënvizohet rëndësia që ka procesi i bisedimeve për Serbinë e Kosovën, rajonin dhe Bashkimin Evropian.
Takimi dypalësh i zonjës Mogherini me delegacionin e Serbisë ishte shumë më i gjatë dhe koha e mbetur për takimin e përbashkët të të dyja delegacioneve ishte shumë e shkurtër. Burimet brenda zyrës së zonjës Mogherini thanë se takimi ishte shumë i vështirë.
Para fillimit të takimit presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, tha se Beogradi është i gatshëm të bisedojë për të gjitha çështjet, por “nuk do të pranojë të flasë për njohjen e pavarësisë së Kosovës”.
“Është e qartë që për statusin e Kosovës kemi qëndrime krejtësisht të ndryshme: ata thonë se Kosova është e pavarur, ndërsa ne mendojmë se ajo është pjesë e pandashme e Serbisë, dhe nga kjo kurrë nuk do të heqim dorë”, tha presidenti serb.
Ai tha se pala serbe dëshiron të shoh zbatimin e marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai tha se ato që Prishtina kërkon nga Beogradi, duhet t’ia japë edhe asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në pyetjen e gazetarëve nëse kjo do të thotë se Serbia do të kërkojë pavarësi për Asociacionin e komunave, meqë Prishtina konsideron Kosovën si shtet të pavarur, presidenti serb tha se “do të kërkojë pavarësi nga Prishtina. Nëse Prishtina mendon se mund t’i kryejë të gjitha punët e pavarur nga Beogradi, atëherë edhe asociacioni duhet të jetë i pavarur nga Prishtina”.
Kosova dhe Serbia nënshkruan në gusht të vitit 2015 marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe, që nxiti një krizë të thellë politike në Kosovë për shkak të mospajtimeve të opozitës e cila e cilëson atë si goditje ndaj sovranitetit të Kosovës.
Prishtina thotë se asociacioni nuk do të ketë asnjë fuqi ekzekutive.
Takimi i së mërkurës synonte uljen e mëtejshme të tensioneve që pasuan ndërtimin e një muri në veriun e Mitrovicës, ndalimin e ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj në bazë të një urdhër arresti serb, ndërsa arritën një pikë të lartë më 14 janar kur Kosova ndaloi hyrjen e një treni të nisur nga Beogradi drejt Mitrovicës, me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.
Treni nxiti luftë fjalësh të ashpra ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por edhe shqetësimet e diplomatëve për rritjen e tensioneve ndërmjet të dyja vendeve.
Kosova e cilësoi trenin si një provokim të sovranitetit të saj, ndërsa Beogradi akuzoi Kosovën për dërgimin e njësive të posaçme të policisë në veriun e banuar me shumicë serbe dhe siç u tha nxitjen e konfliktit. Kjo shtyri zyrtarët evropian që të riaktualizojnë bisedimet në nivelin e lartë politik pas gati një viti. Më 24 janar, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, mblodhi në Bruksel të dyja palët, duke ju kërkuar jo vetëm uljen e tensioneve por edhe shmangien e retorikës nxitëse.
Në prill të vitit 2013 Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjet e para për normalizimin e marrëdhënieve që përfshinte një gamë çështjesh, pas të cilave bisedimet kryesisht u zhvilluan për rrugët e zbatimit të saj, por nga 16 marrëveshje të nënshkruara, vetëm një e treta thuhet të jetë zbatuar.
Beogradi vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që është shpallur nëntë vjet më parë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, por është përfshirë në bisedime me Kosovën në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian. Beogradi është i shqetësuar me mundësinë që në përfundim të bisedimeve atij t’i kërkohet njohja e Kosovës në këmbim të anëtarësimit.
Kosova ka nënshkruar marrëveshjen për stabilizim asociim me Bashkimin Evropian në këmbim të angazhimit në bisedime, por vazhdon të ketë e fundit në rajon në proceset integruese. Autoritetet përballen edhe me kundërshtimin e opozitës e cila shpreh shqetësimet se në bisedimet aktuale Kosova po humbë në sovranitetin e saj./VOA