Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Qyteti i Kosturit të Greqisë, u bë vendi i pritjes për takimin e parë të përbashkët të ministrave të mbrojtjes të tre vendeve, Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë. Në qendër të takimit trepalësh të ministrave të mbrojtjes Majko, Papantoniu dhe Buçkovski, ishte bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.

Ministri shqiptar i mbrojtjes e cilësoi takimin, një dëshmi të mirë të vullnetit të fqinjëve ballkanas, për të lënë pas të shkuarën e mosbesimit tradicional dhe propozoi institucionalizimin e bashkëpunimit. Gjithashtu, ministri Majko shprehu gatishmërinë e palës shqiptare për të kontribuuar në zhvillimin e lojërave olimpike 2004 në Greqi, në kushte sigurie, si dhe me vënien në dispozicion të infrastrukturës shqiptare të informacionit, por dhe të strukturave sociale.

Pas takimit trepalësh ministri Majko dhe ministri Papantoniu nënshkruan marrëveshjen në kuadër midis Shqipërisë dhe Greqisë, e cila shënon në vazhdimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e mbrojtjes firmosjen e marrëveshjes së 5 të radhës, e cila sikundër u shprehën të dy homologët do të nisë më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit ushtarak dypalësh./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora