Administrata tatimore ka nisur “luftën” ndaj bizneseve që kanë borxhe ndaj saj. Pas riorganizimit dhe llogaritjes së të gjitha detyrimeve, drejtoritë rajonale kanë njoftuar debitorët që kanë vetëm 10 ditë afat për t’i shlyer ato, ose përndryshe do të fillojnë procedurat e konfisikimit të pasurisë.
Janë gjithsej 18 500 biznese që preken nga kjo fushatë, ndërsa listën e tyre Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e ka publikuar në faqen zyrtare. Tatimet do të dërgojnë në çdo bankë një shkresë për të gjitha ndërmarrjet debitore që të bllokohen llogaritë bankare, nëse nuk është arkëtuar detyrimi, atëherë mbi pronat e biznesit do të vendoset barra hipotekore.
Nëse edhe pas 30 ditësh nuk do të ketë asnjë reagim, atëherë administrata fiskale do të vijojë procedurat e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë. Tatimet do të dërgojnë edhe shkresa në drejtorinë e doganave për të bllokuar aktivitetin tregtar të listës me 18 500 bizneset që nuk kanë paguar detyrimet. Fushata e autoriteteve fiskale vjen në kohën kur mijëra biznese përfituan fshirje të gjobave dhe detyrimeve të hershme, ndërsa tani kanë mundësi të paguajnë borxhet duke ulur kamatëvonesat pasi ende është në fuqi ligji për faljen fiskale.
Tv Klan