Tirana Business University ka inauguruar godinën e re.
Një hapësirë krejtësisht bashkëkohore, komode e frymëzuese është në dispozicion të studentëve dhe stafit pedagogjik.
Ceremonia e inaugurimit mblodhi mbrëmjen e së hënës me bashkëpunëtorë e partnerë të universitetit.
Presidenti i grupit “Balfin”, Samir Mane në fjalën e tij tha se pjesë e këtyre ndryshimeve pritet të jenë edhe degët e reja të studimit që do i shtohen shkollës.
“Me këtë godinë të re do kemi zhvillime të reja, degë të reja, IT Turizëm. Besoj se real estate do jetë një nga degët që mund të jetë, edhe aty kemi shumë nevojë. Shpresoj që ky të jetë një rifillim i ri TBU drejt sfidave të reja”, tha Mane.
Grupi “Balfin” me rreth 5 mijë punonjës është prezent me aktivitetin e tij në 11 shtete të botës, ndërsa për pak muaj Moldavia do jetë i 12-ti.
“Po operojmë në 11 vende të botës, 12 shumë shpejt. Për këtë na duhen njerëz, njerëz që menaxhojnë, udhëheqin grupin, të bashkëpunojnë me ne për të rritur grupin “Balfin” po dhe aftësitë e tyre”, tha Mane.
Ndërsa administratori i TBU, Dr. Altin Sholla, shpalosi atë që është vizioni dhe misioni i tyre, ndërtimi i një universiteti cilësor të së ardhmes.
Nga ana tjetër Rektorja e TBU, Prof. Dr. Vasilika Kume u shpreh se objektivi kryesor është ofrimi i një mjedisi universitar ku studentët dhe pedagogët mund të diskutojnë lirshëm dhe të shpalosin idetë tyre.
Eventi u përshendet dhe nga zv/ministrja e Ekonomisë, Olta Manjani, si dhe nga Drejtoresha Ekzekutive e Junior Achievement Albania, Blerina Guga.
E themeluar në vitin 2010 dhe me 11 breza të diplomuar, në vitin 2023, grupi “Balfin” u bë aksioneri kryesor dhe mori administrimin e Tirana Business University, duke i dhënë një hov të ri zhvillimit të tij, për sa i takon rritjes së standardeve, cilësisë, kërkimit shkencor dhe investimeve në infrastrukturë.
Mbi 86% e studentëve të këtij universiteti punësohen gjatë ose menjëherë pas diplomimit.
Tv Klan