Mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit se 5 turistë nga Mbretëria e Bashkuar, kishin mbetur të bllokuar në vendin e quajtur “Shpella e Pëllumbasit”, për shkak të terrenit të vështirë malor dhe mungesës së orientimit në errësirë, është organizuar menjëherë puna për gjetjen e tyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me grupin alpin të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe me Federatën Shqiptare të Alpinizmit, pas gati 5 orësh kërkime deri pas mesnatës, kanë bërë të mundur gjetjen dhe shpëtimin e 5 turistëve të huaj, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia e Tiranës fton qytetarët dhe turistët që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112 për garantimin e sigurisë./tvklan.al