64-vjeçari, Syrja Basha në  programin “Historia ime” në Tv Klan, ka treguar historinë e jetës së tij. Kur ishte 7 vjeç, ai kupton nga shokët e klasës se ishte i birësuar. Duke qarë dhe i mërzitur shkon në shtëpi dhe kërkon nga nëna që t’i tregojë të vërtetën, por ajo mohon gjithçka.

Kur ishte 16 vjeç, babai që e rriti ndahet nga jeta pa i treguar të vërtetën. Në kushte të vështira ekonomike, ai detyrohet të punojë dhe të kujdeset për nënën e tij. Çështjen e adoptimit e lë mënjanë. Martohet, krijon familjen e tij, por në vitin 2008 duhet t’i nënshtrohet një operacioni për heqjen e veshkës. Operacioni ishte i vështirë, doktorët i thanë se i nevojitej gjak, por askush nga familja nuk kishte të njëjtin grup gjaku me të.

Vendos t’i kërkojë nënës para se të hyjë në operacion, t’i tregojë të vërtetën për mamanë e tij biologjike, por ajo sërish refuzon. Shoqja e mamasë së tij e bind atë që të tregojë gjithçka, por krejt papritur ajo ndërron jetë dhe Syrja humbi nënën që e rriti, por edhe mundësinë për të mësuar kush është nëna e tij biologjike.

Syrja Basha: Pastaj u rrita dhe e kuptova këtë gjë. Iu nënshtrova jetës dhe thashë kështu paska qenë kismet. Në moshën 16-vjeçare më vdes babai dhe ngelem pa babë.

Mirela Milori: Mbete vetëm me nënën?

Syrja Basha: Kam qenë në kasolle, kemi banuar, kemi qenë dobët. Fillova punën, ndërtova shtëpinë me super sakrifica. Më ndihmoi shata, më ndihmoi beli dhe ndërtova jetën time. Pastaj u fejova me këtë zonjën që kam sot. Na fali Zoti 4 goca. Mirëpo në vitin 2008, unë duhet t’i nënshtrohesha një operacioni, se kam qenë shumë keq në veshka. Ata thanë duhet të hiqej patjetër veshka, bashkë me tëmthin, por thanë do na duhet gjak. Aty u detyrova, gjer në ato vite nuk ja theva shpirtin mamit fare. U detyrova t’i thosha, do t’i nënshtrohem një operacioni, do heq një veshkë, të gjithë më japin gjak, por asnjë s’është gjaku im.

Mirela Milori: Pra mjekët thanë që gjaku yt nuk përshtatej me gjakun e familjes tënde dhe duhej një i afërm i gjakut që të dhuronte gjak për ty?

Syrja Basha: Po! Ajo uli kokën dhe nuk më tregoi asnjë fjalë. Mirë i thashë, ti ashtu e ke vendosur, s’prish punë, por të kam dashur me gjithë shpirt, se kam bërë shumë për atë. Të kam konsideruar me gjithë shpirt si nënën time, por ajo se di si e bëri zemrën gur dhe nuk më tregoi asnjë gjë. Megjithatë i thashë një gjë, po të porosis para se të iki, se jeta ime është tek a çift, një gjë po të lë amanet, këtu ku ke hyrë me vello të bardhë, këtu do dalësh me arkivol, do vdesësh dhe do japësh shpirt në duart e gruas sime dhe gocave të mia. Unë ika në spital dhe ka qenë shumë operacion i rëndë. Vinin njerëzit pyesnin tek shtëpia për mua, aty vjen dhe një komshie me emrin Mine. I thotë pse s’më ka treguar. Ajo më pas i thotë që e ka patur emrin Asije dhe ka qenë infermiere. Në atë moment hyn vajza ime e vogël, se po vinin njerëz të tjerë, e kanë ndërprerë bisedën. I ka thënë flasim nesër. Por të nesërmen, ajo vdes.

Mirela Milori: Pra të nesërmen që ndoshta do tregohej historia, nëna jote ndahet nga jeta?

Syrja Basha: Ndahet nga jeta dhe kështu ngelem! /tvklan.al