3 persona kanë rënë në prangat e policisë së Krujës këtë të Dielë. Siç njoftojnë blutë, ata ishin shpallur në kërkim më parë për “mashtrim”, “prodhim e shitje narkotikësh” dhe “shpërdorim detyre”.
Siç bën me dije gazetarja e Klan News Glidona Daci, janë arrestuar shtetasit: Enes Ara, Flamur Zalla dhe Ibrahim Gurra.
“Në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit”, masave për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, Komisariati i Policisë Krujë kapi shtetasit: E. A., banues në Dragush, Shkodër, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, për veprën penale “Mashtrimi”, F. Z., banues në Fushë Krujë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë, e ka dënuar me 9 muaj e 22 ditë burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. I. G., banues në Krujë, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me 8 muaj burgim, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Materialet i kaluan Prokurorisë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë./tvklan.al