Përdorimi i antibiotikëve pa kriter, qoftë edhe për temperatura të lehta pa u konsultuar me mjekët, ka sjellë rritjen e rezistencës së baktereve e viruseve. Epidemiologu Dritan Ulqinaku tregoi në “Aldo Morning Show” në Tv Klan të gjitha dëmet që marrja pa kontroll e antibiotikëve ka sjellë në shëndet si shkatërrimi i florës gastrointestinale, rënia e aftësisë së trupit për të luftuar sëmundjet dhe kryesisht, diagnostikimi i të rinjve me problemet që shfaqen në moshë të vonë.
Epidemiologu evidenton edhe tri infeksionet më të përhapura në këtë periudhë, me të cilat po hasin vështirësi edhe në trajtim për shkak të rezistencës ndaj antibiotikëve.
Aldo: Cilat janë infeksionet më të predispozuara për të bërë rezistencë tani, sot?
Dritan Ulqinaku: Kemi stafilokokun aurenc i cili është një mikrob normal.
Aldo: Çfarë sjell kjo në gjuhën e popullit?
Dritan Ulqinaku: Fillon që nga bajamet, sëmundjet e veshkave, miokarditet, problemet reumatizmale nesër, kemi shiringën E.coli që përsëri po futet në gamën e infeksioneve që po krijon rezistencë, kemi tuberkulozin të cilin e theksova.
Aldo: Më çudite me këtë tuberkulozin se brezi im e mban mend nga ato librat e historisë në kohën e Zogut, këneta… e ke parasysh? Një gjë e harruar, minatorët e shkretë.
Dritan Ulqinaku: Absolutisht që favorizohet nga kushte jo të mira, por jo vetëm nga ajo. Ne vazhdojmë të kemi raste me tuberkuloz.
Aldo: Ka në Shqipëri?
Dritan Ulqinaku: Ka në Shqipëri, ka në Tiranë.
Aldo: Janë me gishtat e dorës apo tufa?
Dritan Ulqinaku: Jo, nuk janë me gishtat e dorës, janë më shumë se gishtat e dorës. Nuk është problemi se ka persona me tuberkuloz. Problemi është që trajtimi i këtyre personave ka filluar të vështirësohet. Gjithmonë duhet të kërkojmë antibiotikë të gjeneratave të fundit të cilët shpeshherë janë edhe shumë të shtrenjtë për t’i trajtuar me efikasitet, thjesht për efektin e përdorimit të tepruar, të pakujdesshëm, të pamatur që ne i bëjmë vetes tonë, fëmijëve tanë, të afërmve tanë me antibiotikë që shpeshherë i përdorim si karamele./tvklan.al