75 % e pacientëve gjatë pandemisë së Covid kanë marrë mjekime pa qenë nevoja, duke përkeqësuar rezistencën antimikrobakteriale. Të dhënat bëhen të ditura në raportin e fundit të OBSH në nivel global.
Sipas specialistëve të OBSH, vetëm 8% e pacientëve të shtruar në spital me COVID-19 kishin bashkë-infeksione bakteriale që kërkonin antibiotikë, tre nga katër ose rreth 75% e pacientëve janë trajtuar me antibiotikë vetëm me idenë se mund t’ju shërbente atyre.
Sipas studimit, shkalla më e lartë e përdorimit të antibiotikëve u pa tek pacientët që ishin në gjendje të rëndë apo kritike për jetën, me një mesatare globale prej 81%.
Në raport thuhet se përdorimi i antibiotikëve nuk i përmirësoi rezultatet klinike tek pacientët me COVID-19 pa infeksion bakterial, por përkundrazi, mund të ketë shkaktuar dëme.
Gjetjet janë bazuar në të dhënat e 450 mijë pacientëve të shtruar në spitale për Covid, gjatë tre viteve 2020-2023 dhe ka përfshirë 65 vende të botës.
Midis viteve 2020 dhe 2022, me kalimin e kohës në Evropë dhe Amerikë recetat e antibiotikëve u reduktuan, por ato u rritën në Afrikë. Koronavirusi preku mbi 700 milionë njerëz në botë duke u marrë jetën mbi 7 milionë të prekurve.
Tv Klan