Dy persona janë plagosur me armë zjarri në zonën e Don Boskos në Tiranë pas një përplasje me armë.

Policia e Tiranës ka konfirmuar zyrtarisht se të plagosurit janë Kastriot Elezaj 45 vjeç dhe Renaldo Metushi 22 vjeç.

Këta të fundit ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve. 45-vjeçari ka plumb në kraharor, ndërsa 22-vjeçari është i plagosur në këmbë.

Konflikti me armë ka ndodhur pranë OSHEE-së, por rrethanat e ngjarjes janë të paqarta.

Mësohet se të plagosurit janë qëlluar nga një person i tretë. Ata kanë qenë në lokal kur u qëlluan, teksa autori u arratis me makinë.

Ky automjet është gjetur i djegur në zonën e Institutit, çka ngre dyshime të forta se ngjarja është atentat. Këtë e përforcon edhe fakti që autori/ët zbritën nga automjeti dhe qëlluan me armë me silenciator.

NJOFTIMI I POLICISË TIRANË:

Më datë 03.09.2024, në Don Bosko, në afërsi të OSHEE, janë plagosur me armë zjarri shtetasit Kastriot Elezi, 45 vjeç, dhe Renaldo Metushi, 22 vjeç, të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

/ tvklan.al