Zbardhet atentati i dështuar mbrëmjen e së shtunës në Kamëz, ku objektiv ishte një 30-vjeçar, i identifikuar si Enedjon Kaçi, banues në këtë qytet.

I riu, po lëvizte me automjetin e tij tip Land Rover, kur dy personat e identifikuar dhe shpallur në kërkim, Dejvi Mullai e Fabion Kurti, të dy nga 24-vjeç, e kanë qëlluar atë në lëvizje nga një fuoristradë tip BMW.

E gjithë ngjarja është regjistruar rreth orës 22:20 në rrethrrotullimin e Ullirit në Kamëz dhe është fiksuar nga kamerat e sigurisë.

Falë tyre, policia ka mundur të ndjekë itenerarin e autorëve si dhe personit që ishte objektiv i këtij sulmi.

Nga kqyrja e tyre, uniformat blu kanë gjetur të braktisur automjetin e autorëve, por dhe vetë shënjestrën Enedjon Kaçi. Nisur nga kjo policia ka shpallur në kërkim dhe të riun për moskallëzim krimi dhe pengim të zbulimit të së vërtetës.

Burime pranë grupit të hetimit, i thanë Tv Klan se nuk përjashtohet mundësia që 30-vjeçari të ketë qenë i shoqëruar me një tjetër person në makinën e tij.

Kjo e dhënë pritet të konfirmohet nga hetuesit gjatë analizimit të kamerave, përmes të cilave policia ka identifikuar dhe një automjet tjetër, tip Golf ngjyrë e bardhë, që rezulton se ka ndjekur të njëjtin itinerar lëvizje si autorët.

Ndonëse deri tani policia nuk jep të dhëna për motivin, dyshimet janë se ngjarja ka si prapavijë një konflikt mes të rinjve.

Tv Klan