“Komunikimi i sigurtë, është gjysma e punës për krimin e organizuar, i cili paguan shuma të majme që planet e trafikut të drogës apo krimeve kundër jetës të mos aksesohen nga të tretë. Hetimet e SPAK me autoritetet e huaja e kryesisht ato italiane, tregojnë se Encrochat dhe Sky nuk ishin të vetmit aplikacione komunikimi që përdoreshin prej tyre dhe as më të sigurtit”, raporton Bleona Metushi, gazetare.

Spectre, Secure Group, Security Chat dhe Matrix, ky i fundit i aksesuar tashmë nga autoritetet sipas një bashkëpunëtori drejtësie në Itali, bliheshin nga mafia atje për 5 mijë Euro secili në Spanjë.

Pajisjet që mbartin aplikacionet përkatëse kanë teknologji izraelite dhe u jepen bashkëpunëtorëve që merreshin me ato që konsiderohen punë operative në terren, siç ishin shqiptarët që nxirrnin kokainë nga portet e Italisë.

Një tjetër pajisje telefonike, por kjo e përdorur nga një rreth i ngushtë shqiptarësh që po ashtu bënin tërheqjen e kokainës nga portet, ishte edhe Google Pixel.

Një i tillë u sekuestrua nga kontrollet e ushtruara në Shqipëri në shtator të 2024 me kërkesë të SPAK. Disa të tjerë ishin sekuestruar në Itali.

Pas thyerjes dhe marrjes së të dhënave të Matrix, një tjetër pajisje e përdorur nga grupet kriminale dhe qe u mbyll gjatë 2024-ës është edhe Ghost.

Në Nëntor të 2024, SHBA-të dënuan një nga personat e lidhur me platformën e koduar Anom, e goditur në 2021 në Amerikë dhe që zbuloi 27 milionë mesazhe të përdoruesve në mbarë botën të lidhura me krimin. Në pranverën e 2025 do të zhvillohen gjyqet për bashkëpunëtorët e tij.

Thyerja e parë e një pajisje të koduar e prodhuar posaçërisht për krimin është ajo e shkurtit 2018 të Phantom Secure me qendër në Kanada, CEO i të cilës gjithashtu është dënuar me 9 vjet burg.

Tv Klan