Misheli gjendet në “Ka Një Mesazh Për Ty” në vend të nënës së tij. Që në nisje të rubrikës, moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea shpjegoi se ajo nuk mundet të vijë për shkak të gjendjes shëndetësore, por historia është e tillë që duhej të bëhej një përjashtim.
Para 44 vitesh, nëna e Mishelit u detyrua që të linte në maternitet djalin e saj. Kur u kthye për ta marrë, iu tha se kishte vdekur dhe prej 44 vitesh, ajo e dinte të tillë. Ftesa e programit e bëri të mendonte se i biri ishte gjallë dhe instinkti nuk e gënjeu. Vetëm para pak minutash, Mishelit iu konfimua nga Gjebrea se në anën tjetër të ekranit do të jetë vëllai i tij biologjik, i lindur si Rikbert dhe që sot mban emrin Erion.
Rrëfimin e nis Evisi, bashkëshortja e Erionit që e shoqëron. Gjithçka ka filluar me një telefonatë të saj në një tjetër program të Tv Klan, “Aldo Morning Show”. Pasi dëgjoi qëndrimin kundër të një telefonueseje se fëmija i birësuar s’duhet ta kërkojë nënën biologjike, ajo ka ndarë me emisionin e mëngjesit historinë e bashkëshortit të saj. Nga ai moment, filloi kërkimi për prindërit biologjikë të Erionit.
Evis: Nuk mund ta përshkruaj dot se çfarë kam ndier në atë moment. Isha edhe shumë e ngarkuar emocionalisht, kisha babain që vuante prej kohësh dhe kjo gjëja mbase më kishte bërë më delikate. I bie numrit të telefonit, ishte hera e parë që unë kontaktoja me Aldon, nuk kisha folur kurrë. Nuk e di se si funksionon por di që u lidha shumë shpejt, nuk është se prita, nuk është se zgjati, mbase po të kishte zgjatur nuk do ta kisha marrë më.
Më del Aldo, thotë “përshëndetje”, përshëndetje i them unë, thotë “nga flisni”, i them nuk dua të jap emër se po ta them emrin do kuptohet se unë dua të flas për këtë çështjen që dëgjova se e kam personale, e kam të jetuar. “Si e ke personale”, tha, “ti je e birësuar?” Jo, i thashë, nuk jam, por kam bashkëshortin të birësuar dhe nuk më pëlqeu ajo që tha zonja, mendoj pavarësisht që kurrë nuk e ka shprehur, por unë e shoh në sytë e tij, e shoh në bisedat që bën, e shoh në momentet kur ka një siklet, kur ka një problem, e shoh sesi shprehet, e kuptoj që ai e vuan këtë gjënë që nuk e ka takuar nënën e vet.
Pas shumë gjërash që diskutuam aty, ishin nga më të ndryshmet, në fund fare më thotë dëshiron “t’ua jap numrin tuaj të telefonit gazetarëve të “Ka Një Mesazh Për Ty?” Në fillim, me thënë të drejtën nuk po jepja as përgjigje, i thashë jo, këtë nuk mund ta bëj dot unë. Pastaj e mendova, i thashë, e di çke, jepja njëherë numrin se… mbyll telefonin, kam qenë atë ditë derisa ka ardhur Erioni në shtëpi, nuk e di, nuk e përshkruaj dot.
Kur erdhi Erioni, i thashë kam bërë diçka, nuk e di sesi do reagoni. “Çfarë ke bërë”, tha se kujtoi e ke parasysh, ndonjë pazar, ndonjë gjë si të gjithë burrat. I thashë kam folur në telefon me Aldon për një temë dhe Aldo më ka marrë numrin e telefonit, do kontaktoj për problemin që ti ke. Mendova që do reagonte keq, faktikisht reagimi i Erionit ishte…nuk e di, i shkëlqyen sytë, ndryshoi çdo gjë, tha “shumë mirë”. I thashë “e ke me gjithë mend apo…” se isha në siklet me thënë të drejtën. “Jo, jo”, tha, “shumë mirë”. Çdo ditë që vinte nga puna, më pyeste “a kanë marrë në telefon”./tvklan.al