Erik ten Hag ka hedhur poshtë kritikat e bëra nga Cristiano Ronaldo se i mungon ambicia si trajner i Manchester United.
Ish-ylli i “Djajve të kuq” ka rikthyer polemikat me holandezin, duke thënë se asnjë trajner i United nuk duhet të pranojë se ekipi i tij nuk mund të fitojë Premier League ose Champions League.
Por Ten Hag në përgjigjen e tij tha se CR7 nuk ka lidhje me ngjarjet në ‘Old Trafford’, pasi ai luan larg, me Al Nasr në Ligën Saudite.
Erik ten Hag, trajner i Manchester United: Ai tha se Manchester United nuk mund të fitojë Premier Ligen. Ai është shumë larg, në Arabinë Saudite, shumë larg Mançesterit, kështu që të gjithë mund të kenë një mendim dhe ai e ka këtë të drejtë, kjo është e kuptueshme! Ne do të shikojmë se ku do të jemi në muajin maj. Jemi shumë herët në këtë sezon dhe kjo ka të bëjë me fitimin e trofeve, të jemi sa më lart të jetë e mundur në renditjen e kampionatit, të bëjmë gjithçka që të fitojmë çdo ndeshje. E kam thënë jemi, në tranzicion e duhet që të integrojmë shumë lojtarë të rinj. Por ekipi e di se synojmë tri pikët në çdo takim.
Ylli portugez që me Djajtë e kuq ka shënuar 145 gola në 326 paraqitje, nuk pati një eksperiencë të mirë në rikthimin e tij të dytë në “Old Trafford”. Ai pati përplasje me Ten Hag për shkak të mosmarrëveshjeve.
Portugezi vendosi të ndërpriste kontratën e tij, përpara se të sulmonte holandezin dhe të deklaronte se ndihej i ‘tradhtuar’ prej tij.
Deklaratat CR7 i bëri në një intervistë me ikonën tjetër të klubit anglez, Rio Fedinand. United ka pasur një fillim të vështirë të sezonit, duke humbur dy nga tre ndeshjet e para pasi përfundoi në vendin e tetë sezonin e kaluar.
Por Ten Hag beson se ka një sërë faktorësh dhe refuzon që ta konsiderojë këtë gjë si shqetësuese.
Klan News