Sulmi i Iranit ndaj Izraelit dhe rreziku i shpërthimit të një lufte të madhe shfarosëse në Lindjen e Mesme ishin në fokus të diskutimeve në Këshillin e Sigurimit. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres u bëri thirrje palëve të ndalen menjëherë.
“Lindja e Mesme është buzë greminës. Popujt e rajonit rrezikohen nga një luftë shkretuese. Tani është momenti për përmbajtje, për çtensionim”, tha Guterres.
Polemika pati mes diplomatëve të palëve në konflikt.
“Pas një sulmi të tillë, ne nuk mund të mos reagojmë. Ne do të mbrojmë të ardhmen tonë. Këshilli i Sigurimit të veprojë, të dënojë Iranin dhe terrorin e tij. Të rikthejë sanksionet dhe ta shpallë Gardën Revolucionare, organizatë terroriste”, tha Gilad Erdan, ambasador i Izraelit në OKB.
“Operacioni i Iranit ishte në zbatim të plotë të të drejtës për vetë-mbrojtje në përputhje me ligje ndërkombëtare. Për fat të keq, Këshilli i Sigurimit ka dështuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Republika Islamike e Iranit nuk pati tjetër zgjidhje”, tha Saeid Iravani, ambasador i Iranit në OKB.
Aleatët perëndimorë i bënë thirrje Izraelit të mos ndërmarrë sulme hakmarrëse ndaj Iranit. Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron tha se pavarësisht të drejtës së plotë për t’u kundërpërgjigjur, Izraeli nuk duhet ta bëjë këtë.
Më herët zyrtarët në Uashington thanë se nuk do e mbështesin Izraelin në rast kundërpërgjigjeje ushtarake ndaj Iranit, pasi nuk duan të nxisin shpërthimin e një lufte në madhe në Lindjen e Mesme.
Tv Klan