Nga Këshilli i Sigurimit, presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky u shpreh se Rusia duhet të detyrohet të bëjë paqe, ndërsa kërkoi që lufta Rusi-Ukrainë të mos anashkalohet.
“Ajo që duhet të bëjmë është të detyrojmë Rusinë të bëjë paqe. Kjo luftë nuk mund të zbehet thjesht, kjo luftë nuk mund të qetësohet me bisedime duhen veprime”.
Mes të tjerash ai u shpreh se ka hartuar një plan të ri fitoreje në luftën. Ndërkaq Ambasadori rus në OKB Vassily Nebenzia u shpreh se Këshilli i Sigurimit duhet të refuzojë praninë e Ukrainës në takime të tilla të nivelit të lartë.
“Arsyeja e vetme që qëndron pas thirrjes së tyre në këtë takim është t’i sigurojë Volodymyr Zelenskiy një tjetër skenë koncerti në dhomën e Këshillit të Sigurimit”.
Ndërkaq edhe sekretari amerikan Antony Blinken tha se Këshilli i Sigurimit duhet të veprojë pasi Irani dhe Koreja e Veriut po dërgojnë në Rusi të pajisje, drone dhe raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi.
“Mbështetja nga Teherani dhe Pheniani po e ndihmon Putinin të shkaktojë masakër. Irani, Koreja e Veriut dhe Rusia kanë shkelur rezoluta të shumta të Këshillit të Sigurimit”.
Ukraina përballet me një të ardhme të pasigurt. Një fitore e ish-Presidentit Donald Trump ndaj Zëvendës Presidentes Kamala Harris në zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA mund të nxisë një rivendosje të politikës së Uashingtonit për Ukrainën, e cila mbështetet ushtarakisht dhe financiarisht.
Klan News