Ngritja e zërit është një nga format që prindërit përdorin për të treguar autoritet ndaj fëmijës. Sipas pediatres Lira Gjika, kjo tregon padurimin e prindit dhe siç ajo shpjegon më vonë gjatë programit “Shije Shtëpie” në Tv Klan, ngjall te fëmija ndjesinë se po krijon bezdi.

Pediatrja shpjegon se në moshën 0-3 vjeç prindi rijeton këtë periudhë të tij përmes fëmijës. Ky është një afat përgjatë të cilit prindi mund të mësojë të menaxhojë veten, të tregojë durim dhe nevojitet vetëm një muaj që të ndodhin korrigjimet të cilat rregullojnë marrëdhënien me fëmijën.

Ermelinda Ndoja: Ngritja e zërit shumë herë mund të shihet si vendosja e kufirit.

Lira Gjika: Ngritja e zërit është padurim i prindit. I tregon fëmijës që më lodhe, më mërzite, ik tani se më dole tepër, se ne jo vetëm ngremë zërin, por lëvizim edhe me trup.

Ermelinda Ndoja: Është e vërtetë doktoreshë, por është pritshmëria që shumë prindër mund të kenë ngarkesën e ditës, as që diskutohet.

Lira Gjika: Po, është problem i tyre.

Ermelinda Ndoja: Ndonjëherë pason te fëmija dashur, pa dashur.

Lira Gjika: Për një muaj durim, do të vuajnë gjithë jetën. Për një muaj durim, gjymtojnë fëmijën e tyre për gjithë jetën. Nuk ka asgjë të keqe, ti merr, të është dhënë mundësia nga natyra, nga Zoti, si të duan që ti të korrigjosh, të rregullosh disa sjellje, komportime, të menduari të vetes tënde. Në moshën që është fëmija, ne rikujtojmë atë të parikujtueshmen, 0-3 vjeç që ne nuk e rikujtojmë dot, kur rrisim fëmijën është momenti më i mirë sepse del vetvetiu, hapet sirtari. Po të jetë pak inteligjent njeriu dhe një specialist që e ndihmon në këtë fushë, prandaj është e rëndësishme këshillimorja e fëmijës se të ndihmon të kuptosh etapat e rritjes dhe të korrigjosh sa mund gjërat te vetja jote, në sjelljet e tua, në mënyrën e të menduarit, te mendimi, te mendja jonë mund të rregullojmë ca gjëra, por ne e çojmë dëm këtë, si gjithmonë gjërat i çojmë dëm./tvklan.al