Sizmologët: Tërmeti i fundit u ndje sepse ishte shume cekët
Tërmeti i 26 Nëntorit vijon pasgoditjet pikërisht në të njëjtën zonë ku ra rreth një vit më parë. Sipas sizmologëve tërmeti me magnitudë 4 i shkallës Rihter që goditi Durrësin gjatë natës, është shoqëruar me 45 pasgoditje të tjera.
“Ky është një aktivitet normal pastërmetor, në vijim të gjithë serisë që ka nisur që në Shtator dhe mandej nga 26 Nëntori e në vazhdim. Aktiviteti është duke ardhur në rënie, por natyrisht që kohë pas kohe ka edhe evidentim të qartë të energjisë së akumuluar në këtë zonë.”
Shqetësuese e tërmetit me epiqendër në Detin Adriatik, është thellësia e tij shumë afër kores së tokës, por magnituda e tij nuk mund të shkaktonte dëme.
“Ka pasur një variacion të konsiderueshëm thellësia e këtyre ngjarjeve, por natyrisht goditja e parë, goditja kryesore, është për tu theksuar se është në nivelin e 2 kilometrave të kores së tokës, që ne e definojmë të cekët.”
Sipas sizmologëve, nëse do të ketë ndryshim të madh të parametrave të pasgoditjeve, atëherë do të ishte me rrezik për tërmete të tjera më magnituda të mëdha. Deri tani zona e Durrësit vijon të lëkundet nga pasgoditjet e tërmetit të 26 Nëntorit të vitit të kaluar.
Tv Klan