Alarm maksimal në Europë për zjarre të qëllimshme nga Rusia. Shërbimet e sigurisë në Evropë janë në gatishmëri të lartë pas një sërë zjarresh dhe sulmesh misterioze në infrastrukturë në disa vende.
Gazeta britanike “The Guardian” shkruan se shërbimet e sigurisë nuk përjashtojnë që këto veprime të jenë një armë e re e mundshme e Rusisë. E cila synon destabilizimin e kontinentit të vjetër.
Javën e kaluar, kryeministri polak Donald Tusk zbuloi se autoritetet polake kishin arrestuar nëntë persona në lidhje me aktet e sabotimit. Dyshohet se janë kryer me urdhër të shërbimeve ruse. Polonia fajëson gjithashtu Rusinë për një zjarr që ra në një qendër tregtare në Varshavë. Të cilën ambasada ruse e konsideroi më herët një teori konspirative.
Sulmet, frikësohen zyrtarët evropianë, i shtohen një fushate dezinformimi tashmë të përhapur. Të mërkurën, disa shkolla rreth Athinës u evakuuan pas një alarmi të rremë për bombë. Policia gjurmoi një server rus dhe sipas tyre kishte për qëllim “prishjen e rendit publik”.
Muajin e kaluar në Gjermani u arrestuan, dy shtetas gjermano-rusë të cilët planifikonin të sulmonin një bazë ushtarake në Bavari. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka fajësuar Moskën për ngjarjet e fundit dhe u shpreh se aleanca ka rritur vigjilencën .
Klan News