Shqipëria ka njohur përmirësim në renditjen e Transparency International për luftën ndaj korrupsionit gjatë vitit 2024. Në raportin e publikuar këtë të martë, Shqipëria renditet e 80-a nga 180 vende të botës të marra në shqyrtim. Vendi ynë ka përmirësuar me 5 pikë renditjen duke grumbulluar 42 nga 100 në total. Transparency International vlerëson punën e SPAK dhe GJKKO që sipas saj kanë fituar edhe besimin e publikut.

“Në Shqipëri, prokuroria dhe gjykatat e specializuara kundër korrupsionit (SPAK) kanë fituar besimin e qytetarëve pasi kanë dënuar ish-ministra, deputetë dhe kryebashkiakë. SPAK vazhdon të hetojë një ish-president, ish-kryeministër dhe zyrtarë të tjerë të lartë publikë”, tha Transparency International.

Raporti vlerëson korrupsionin si një nga kërcënimet e vendeve kandidate në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Institucionet e dobëta demokratike dhe sundimi i ligjit përkeqësohen nga paqëndrueshmëria e vazhdueshme dhe presionet e jashtme”, thuhet në raport.

Në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria lë pas Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën. Që të tre këto vende kanë pësuar rënie në luftën ndaj korrupsionit ndërsa para vendit tonë mbetet Kosova që ka pasur një përmirësim me 3 pikë si dhe Mali i Zi që ruan të njëjtin pozicion.

Indeksi global i perceptimit të korrupsionit kryesohet nga Danimarka, Finlanda dhe Singapori ndërsa lista mbyllet me Venezuelën, Somalinë dhe Sudanin e jugut.

Tv Klan