TikTok-u mbylli këtë të diel aktivitetin e tij në Shtetet e Bashkuara. Mbyllja u bë disa orë para se të hynte në fuqi ligji që ndalon aktivitetin e rrjetit të madh social në pronësi të kompanisë kineze ByteDance.

Mbi 170 milionë përdoruesve amerikanë iu shfaq këtë të diel ky njoftim ku thuhej se ishte i pamundur përdorimi i TikTok për momentin për shkak të ligjit që e ndalon. Megjithatë, në njoftim theksohet se ishin me fat që Presidenti Trump ka paralajmëruar se do të punojë për rikthimin e TikTok-ut sapo të marrë detyrën.

Ndërsa në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre tha se nga e hëna që është edhe dita e përurimit të presidencës së Donald Trumpit, i takonte administratës së re të merrej me zbatimin e këtij ligji. Nisur edhe nga pakënaqësitë e shprehura nga numri i madh i përdoruesve të TikTok-ut në Shtetet e Bashkuara, Trump ka deklaruar se mund ta pezullojë bllokimin me një urdhër ekzekutiv deri në 90 ditë.

TikTok nuk pranoi ta shiste aktivitetin në SHBA në këmbim të mbajtjes hapur të veprimtarisë, pas shqetësimeve se të dhënat e përdoruesve amerikanë keqpërdoren nga shërbimet sekrete të Pekinit.

Tv Klan