Disa shtete në SHBA kanë paditur TikTok-un duke e akuzuar se ndihmon në nxitjen e një krize të shëndetit mendor tek adoleshentët. 14 avokatë pretendojnë se kompania përdor veçori të varësisë për t’i mbajtur të lidhur fëmijët me aplikacionin.
“TikTok e di se përdorimi i detyrueshëm dhe efektet e tjera të dëmshme të platformës së tij po ndikojnë negativisht në shëndetin mendor të miliona fëmijëve dhe adoleshentëve amerikanë. Por edhe pse këto janë të dokumentuara, TikTok vazhdimisht e cilëson platformën e tij si të sigurt dhe të përshtatshme për fëmijët.”
Në padi veçohen disa elementë si problematike: sinjalet që prishin gjumin, videot që zhduken duke i shtyrë përdoruesit që të kontrollojnë shpesh platformën, si dhe filtra bukurie që i bën përdoruesit të mos ndihen komod me pamjen e tyre.
Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James tha se të rinjtë në të gjithë vendin kanë vdekur ose janë plagosur duke bërë sfidat e TikTok dhe shumë të tjerë po ndihen më të trishtuar, të shqetësuar dhe të dëshpëruar për shkak të varësisë së TikTok.
“TikTok pretendon se platforma e tyre është e sigurt për të rinjtë, por kjo nuk është aspak e vërtetë,” tha James në një deklaratë duke njoftuar veprimin.
Nga ana tjetër, TikTok e quajti padinë zhgënjyese dhe tha se besonte se shumë nga pretendimet ishin të pasakta dhe mashtruese./tvklan.al