Qeveria shqiptare vendosi që të mbyllë për një vit rrjetin social Tik Tok. Në një takim me prindër e mësues kryeministri Rama e ka konsideruar Tik Tokun si “rrugaçin e lagjes”.

Edi Rama: Është shumë më i fortë, është shumë më ndikues, është shumë më tërheqës ai “rrugaçi” i lagjes që e ka në telefon që quhet TikTok që ne kemi frikë që fëmija të shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Ne Tik-Tok do ta mbyllim për një vit.

Sipas Ramës vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani nuk mund të parandalohej. Ai refuzoi largimin e ministres Manastirliu nga detyra për këtë ngjarje të rëndë.

Edi Rama: Ashtu sikundër ka luajtur një rol të pamohueshëm në transformimin e sistemit tonë shëndetësor do të luajë një rol për të cilin të gjithë duhet të jemi falenderues në sistemin tonë arsimor. Detyra jonë nuk është të shmangim dhe të bëjmë të pamundurën çdo të keqe që ndodh sepse këtë nuk e ka bërë dhe nuk e bën dot dhe s’ka për ta bërë dot kurrë asnjë shtet në botë. Të këqijat fatkeqësisht ndodhin, ama detyra jonë është që nga çdo e keqe që ndodh, ne të nxjerrim më të mirën për të bërë që mundësitë që ajo të bëhet përsëri të zvogëlohen.

Rama solli si shembull negativ për fëmijët edhe politikën shqiptare.

Edi Rama: Fëmijët tanë, adoleshentët shikojnë një “trim”, apo një tufë me “trima” që nuk lënë të tjerët të flasin, natyrisht që atyre iu pëlqejnë këta trima më shumë sesa ata që flasin. Dhe natyrisht që duan t’i kopjojnë këta trima kur flet mësuesi atje përpara. Ky është efekti i gjithë kësaj. Se TikTok në fund të fundit promovon çfarë gjen nëpër rrugët e politikës dhe të mediave tona.

Ministria e Arsimit ka hartuar Planin e Ri të Veprimit, për të adresuar dhe përmirësuar sigurinë në shkolla.

Klan News