Në vizitën e tij në Venecia, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj njoftoi marrëveshjen e binjakëzimit me këtë qytet jo vetëm në fushën e artit dhe kulturës, por së fundmi edhe në sektorin e turizmit.

“Do të fillojmë një histori të re bashkëpunimi, jo vetëm për Bienalen e Kulturës dhe të Artit, meqë vitin tjetër Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, por edhe në shumë fusha të tjera, sidomos turizmi.”

Për kryebashkiakun Veliaj, kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm drejt rritjes së bashkëpunimit në çdo sektor me interes të përbashkët.

“Kemi për të mësuar nga më të mirët. Venecia është padyshim kryeqyteti botëror i turizmit. Dua të falënderoj jo vetëm kryetarin e bashkisë, por edhe të gjithë shqiptarët dhe të gjithë ata miq italianë që mundësuan që Tirana të ketë një binjakëzim me një nga kryeqytetet botërore të kulturës dhe të turizmit.”

Shqipëria dhe shqiptarët kanë një marrëdhënie të vjetër bashkëpunimi dhe shkëmbimi me qytetin e Venecias, ku jeton edhe një komunitet i rëndësishëm i shqiptarëve.

Tv Klan