Sheshi “Skënderbej” është kthyer në pikën kryesore ku turistët e huaj nisin vizitën e tyre në Tiranë dhe më pas shpërndahen në destinacione të tjera. Qendra e kryeqytetit gumëzhin nga gjuhë dhe kombësi të ndryshme.

Xhamia e Et` hem Beut monument kulture i kategorisë së parë, e ndërtuar në vitet 1800, është një ndër atraksionet më kryesore ku ndalojnë të gjitha grupet e turistëve, edhe ata që vijnë në mënyrë individuale siç është kjo familje italiane, të cilët thonë se kanë mbetur të surprizuar.

“Është hera e parë që vijmë në Shqipëri, është një vend tërheqës, më i bukur nga sa e kishim menduar. Ne kishim disa ditë pushim, ne zgjodhëm që të vinim në Shqipëri. Kemi udhëtuar 1200 kilometra për të ardhur këtu. Kemi ardhur familjarisht. Kemi marrë një makinë me qira dhe po shëtisim.”

Grupet italiane, gjermane janë më të shpeshtët në rrugët e Tiranës por të shumë janë dhe ata holandezë si kjo familje.

“Jam nga Holanda është hera e parë që jam këtu dhe do të qëndroj gjashtw ditë. Njerëzit janë shumë miqësorë, të ndihmojnë. Moti është i mirë, edhe qyteti është fantastik .”

Turistët e huaj që vinë në Shqipëri, preferojnë që një apo dy ditë t’i kalojnë në Tiranë dhe më pas vizitojnë qytetet e tjera. Edhe në këtë periudhë të vitit sipas Gëzim Tarkos i cili ka një agjenci turistike, preferohet jugu i vendit.

Gëzim Tarko, agjenci turistike: Është klima më e butë, pamjen e ka më të mirë, dhe Saranda, Butrinti, Gjirokastra dhe Berati arrihen shpejt për shkak të trafikut, ka trafik më të pakët. Turistët e agjencisë time janë austriakë, zviceranë dhe gjermanë. Ata qëndrojnë nga tetë deri në dhjetë ditë.

Ndërsa pas qershorit, grupet që ai bashkëpunon kanë preferencë për veriun.

Gëzim Tarko, agjenci turistike: Sezonin e dytë vërshojnë turistët në zonën malore të veriut, janë turistë të aventurës. Më të shumtit nga këta janë austriakë, gjermanë dhe nordikë.

Shqetësim për ta është mungesa e vendeve tw qëndrimit për autobusët turistikë.

Gëzim Tarko, agjenci turistike: Nga Shkodra në veri deri në Sarandë nuk ka vende të caktuara për parkim për autobusët turistikë. Ne e kemi stërmundim sjelljen e turistëve në kryeqytet se nuk kemi ku parkojmë autobusët.

Tur operatorët thonë se duhet të synojmë më shumë turizmin elitar.

Gëzim Tarko, agjenci turistike: Të shumtit që vijnë, vijnë tre ditorë ose katër ditorë nga vendet fqinje që sjellin shumë pak të ardhura. Ne do të synojmë në turizmin elitar që janë, gjermanë, austriakë, francezë dhe amerikanë. Këta lenë shumë të ardhura, pra për hotelet, për ne, për infrastrukturën, për gjithçka. Është rritur sasia por jo me cilësinë e duhur.  

Gjatë tre muajve të parë të këtij viti e kanë vizituar Shqipërinë mbi 1.7 milionë turistë të huaj.

Klan News