Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, nderohet në Tiranë me titullin “Doctor Honoris Causa”.

I pranishëm në aktivitet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi kontributin e Hoxhajt në forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe diplomacisë, duke e konsideruar një urë lidhëse mes politikës së dy vendeve dhe të dijes.

“Është një bekim i madh që, në javën kur ne festojmë Ditën e Flamurit dhe të Çlirimit, kur do të organizojmë edhe paradën e shqiptarëve në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, i shprehim mirënjohjen edhe nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, i cili ka arritur të na bashkojë si askush tjetër, pa dallim feje, krahine, ideje. Sot është e vështirë të gjesh në politikë njerëz që vijnë nga bota e dijes”.

Veliaj u ndal edhe ne kohën kur ishte ministër i Punëve dhe Çështjeve Sociale, duke vlerësuar rolin e Hoxhajt si ish-ministër i Jashtëm.

“Besoj se është një shembull shumë i madh sot, për shumë njerëz të dijes, të cilët thonë nuk futem në politikë se politika të bën pis. Të falënderoj që ke kmbëngulur se prej dijes mund të prodhohet politikë e mirë, prej dijes mund të qëndrosh me dinjitet”.

Nga ana e tij, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj e cilësoi këtë një ditë të veçantë edhe për faktin se nderohet me një titull në prag të festave të Nëntorit.

Tv Klan