Ditën e djeshme qytetarët e Maqedonisë së Veriut iu drejtuan qendrave të votimit për zgjedhjet presidenciale. Mes 7 kandidatëve, 2 prej tyre janë shqiptarë të cilët deri tani nuk kanë avantazh, bazuar te numri i votave. Kjo u pa si një përçarje dhe është replikuar mjaftueshëm sidomos nga opozita e Kosovës.
Në një intervistë për Klan News, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj tha se janë bërë përpjekje për të arritur në lista të përbashkëta dhe nëse kjo do të kishte ndodhur rezultatet do të ishin ndryshe. Sipas tij deputetët shqiptarë në Kuvendin e RMV-së do të ishin më të shumtë në numër dhe do të kishin mundësi të kushtëzonin formimin e qeverisë së re e cila mund të jetë më afër politikave serbe.
“Duhet të kishte një listë të përbashkët sepse nëse do të kishte një listë të tillë, shqiptarët në Kuvendin e Maqedonisë do të kishin mbi 20-25 deputetë dhe do ta kushtëzonin formimin e qeverisë së ardhshme, e cila mund të jetë nën udhëheqjen e VMRO DPMNE-së, më afër Beogradit më afër interesave të Serbisë. Dhe në këtë drejtim e ka lexuar edhe opozita në Kosovës. Por përtej kësaj ne e kemi parë qeverinë e Republikës së Kosovës dhe vetë zotin Kurti si një platformë e cila i përçan shqiptarët. Ka pasur përpjekje që të ketë një listë të përbashkët dhe ka qenë një përpjekje përtej partive politike,”-thotë ai.
Sipas ish-ministrit përpjekjet për të arritur listat e përbashkëta kanë qenë të shumta dhe shumë serioze. Gjithashtu çdo gjë që kanë arritur shqiptarët në politikën e Maqedonisë ka qenë falë punës së Ali Ahmetit. Ai gjithashtu u shpreh se Albin Kurti ka bërë përpjekje të vazhdueshme që të bllokojë subjektin e partive politike shqiptare.
Enver Hoxhaj, Ish-ministër i Jashtëm i Kosovës: Ka pasur përpjekje dhe ka pasur përpjekje serioze që të ketë një listë. Ka qenë pika më e lartë. Unë nuk besoj se këtë pozitë do ta kenë edhe në të ardhmen dhe kjo ka ndodhur falë mençurisë së Aliahmetit dhe orientimit të tij Euro-Antlantik. Mirëpo kur zoti Kurti vendosi që të jetë aktivisht pjesëmarrës i procesit zgjedhor, kur zoti Kurti bëri përpjekje që të bëjë një bllok të subjekteve politike shqiptare. Dhe ky bllok i opozitës në Maqedoni më shumë e sheh si lider Kurtin sesa Taravarin dhe partitë e tjera politike. Kjo u pa qartë që përçarja sikurse ka ndodhur jo rrallë herë në histori, ishte që të dertiminonte këtë rezultat politik. Prandaj edhe është e paprecedentë ndërhyrja e Kosovës në procesin zgjedhor në Maqedoni dhe besoj se zoti Kurti nga ndërhyrjet e tij në Shqipëri dhe në Luginën e Preshevës dhe nga dështimet që kishte në Maqedoni ka nxjerrë një mësim dhe në të ardhmen, nuk do ta përsëritë.
Ai u shpreh se Kurti ka një koncept të gabuar për partinë e tij, dhe se ndërhyrja e tij në zgjedhjet e RMV-së ishte e paprecedentë.
“Zoti Kurti edhe në Kosovë sillet si një sundimtar i cili mendon se partia e tij është e barabartë me shtetin e Kosovës, do të thotë që është një konceptit i partisë-shtet, natyrisht edhe në të kaluarën ne kemi pasur subjekte politike që kemi bashkëpunuar me shqiptarët kudo në rajon, qoftë në Maqedoninë e Veriut, qoftë në Lagunën e Preshevës, qoftë në Malin e Zi. Kemi pasur afërsi edhe personale po nuk dinë të bëjnë dallimin se ku përfundon sovraniteti i shtetit dhe cili është roli jonë si Kosovë në mbështetje të interesave politike, kombëtare, kulturore dhe identitare të shqiptarëve Maqedoninë e Veriut,”-përfundon Hoxhaj./tvklan.al