Një tjetër formular vetëdeklarimi i është vënë në dispozicion për tu plotësuar punonjësve të Policisë së Shtetit. Formulari, që mban firmën e kryepolicit Muhamet Rrumbullaku duhet të plotësohet deri në datë 30 Qershor. Formulari mbi verifikimin e integritetit synon të zbulojë kontaktet e efektivëve të Policisë me krimin e organizuar.
12 mijë punonjësit e Policisë duhet të përgjigjen nëse kanë qenë të dënuar, hetuar, ndaluar apo shpallur në kërkim nga autoritetet gjyqësore shqiptare apo të huaja. Gjithashtu duhet të deklarojnë nëse kanë patur kontakte të papërshtatshme apo komunikime elektronike me persona të përfshirë në krimin e organizuar.
Në formularin me 8 pyetje, duhet të japin përgjigje edhe sa i takon shkeljes së rregullave të sigurisë së informacionit të klasifikuar dhe nëse kanë hyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemet e komunikimit të këtyre informacioneve.
Nëse zbulohet se janë plotësuar në formular të dhëna të pasakta apo të pavërteta efektivët do të largohen menjëherë nga puna. E njëjta gjë do të ndodhë edhe nëse punonjësit e Policisë pranojnë vetë se kanë kontakte të papërshtatshme.
Ky është formulari i dytë që i shpërndahet strukturës së Policisë së Shtetit, pas atij të përdorimit ose jo të aplikacioneve SKY ECC dhe EncroChat. Në formularin e parë të gjithë mohuan përdorimin, por hetimet e SPAK zbuluan të kundërtën. Henrigert Mitri dhe Klodian Shahini ish-zyrtarët e Policisë, tashmë në kërkim, rezultoi se kanë komunikuar me persona të inkriminuar.
Klan News