Një tjetër video amatore qarkullon në mediat dhe rrjetet sociale amerikane, që tregon se atentatori 20-vjeçar i Donald Trump pati kohë të mjaftueshme për t’u ngjitur në tarracën e ndërtesës.

Në këtë video të filmuar nga qytetarët që ishin në tubimin elektoral të Donald Trump, shihet autori që ngjitet në tarracë. Gjatë kësaj kohe, nuk pati asnjë reagim nga forcat e policisë dhe agjentët e Shërbimit Sekret Amerikan.

Pikëpyetjet e ngritura janë përse u lejua të ngjitej mbi tarracë dhe nuk pati reagim?

Analistët dhe ekspertët amerikanë të sigurisë kanë ngritur shqetësimin se u neglizhua siguria.

Në këtë video të re, dëgjohen edhe qytetarët që bërtasin dhe kërkojnë policinë.

“Ai po ngjitet në çati, e shihni? A është shtrirë? E shikojmë, është shtrirë. Policia, dikush në çati”, ka bërtitur një qytetar.

Sipas Associated Press, një oficer i policisë lokale u ngjit në çati dhe sapo pati kontakt me 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks, ky i fundit i drejtoi pushkën. Oficeri u tërhoq, ndërsa Crooks më pas nisi të qëllonte në drejtim të Donald Trump. Ish-Presidenti mbeti i plagosur lehtë, kurse 20-vjeçari u vra nga snajperistët e Shërbimit Sekret.

Për këtë ngjarje të rëndë, Shërbimi Sekret fajëson policinë lokale. Ata thonë se autori ishte jashtë perimetrit që ruhej nga agjentët e Shërbimit Sekret. Ndërsa jashtë këtij perimetri, siguria duhej të ruhej nga policia lokale.

/tvklan.al