Shtëpia kishte rënë në gjumë kur gjashtë burrat hynë brenda. Ata kërkuan 22-vjeçaren Sobia Batool Shah dhe një prej tyre e sulmoi me sëpatë duke u përpjekur t’i priste këmbët.
“Ai nuk ndalej dhe duhet të më ketë goditur të paktën 15 herë”, tha Sobia për “The Guardian”. “Bërtita nga dhimbja dhe iu luta të ndalonte, por dukej sikur e kishte pushtuar një forcë e mbinatyrshme. Madje i thashë se nuk do të kërkoja divorcin”.
Shah u sulmua nga familjarët e saj, babai Syed Mustafa Shah, xhaxhai dhe kushërinjtë që hynë në shtëpinë në Naushahro Feroze, në provincën Sindh të Pakistanit për ta “ndëshkuar” që refuzoi të tërhiqte kërkesën për t’u divorcuar nga bashkëshorti.
Në një bisedë telefonike nga Peoples University of Medical and Health Sciences for Women ku edhe po kurohet, Shah i tha “The Guardian” se ka “dhimbje të tmerrshme” dhe i ka të dyja këmbët në allçi. “Mjekët kanë vendosur shufër hekuri në njërën këmbë”.
Në një ditë normale, departamenti i policisë mjeko-ligjore në Sindh merr 10-15 raportime rastesh për dhunë në familje nga tre spitalet publike në Karachi. Kjo, pa numëruar kufomat.
Pabarazia gjinore është problem global, por në Pakistan treguesit reflektojnë ritme të larta keqtrajtimesh dhe dhune ndaj grave. Në raportin e këtij viti të World Economic Forum’s Global Gender Gap, Pakistani ishte i parafundit nga 146 vende, duke lënë pas vetëm Sudanin. Më pas renditej i 164-ti nga 193 vendet në raportin e Kombeve të Bashkuara për pabarazinë gjinore.
Inspektori Abdullah Lakhair tha se babai i vajzës pranoi sulmin dhe se i kishte thënë policisë që vajza kishte “çnderuar” familjen duke kërkuar divorcin.
22-vjeçarja kishte kërkuar mbrojtje nga autoritetet pasi i ati ishte përpjekur ta vriste më parë. Gjykatësi e kishte dërguar në një strehë për gratë ku kishte qëndruar dy javë e më pas kishte vendosur të kthehej tek e ëma. Ngjarja ndodhi pas këtij episodi.
Shah thotë se i ati kishte braktisur familjen dhe kishte shkëputur çdo kontakt me ta. “Mos të kishte qenë gjyshi nga mamaja dhe daja, ne nuk do të kishim pasur një çati mbi kokë për vite me radhë. Si guxon ai të flasë për nderin e njollosur nga divorci im”, thotë 22-vjeçarja.
Babai i Shah po pret dënimin dhe mund të përballet me 14 vite burg.
Pas sulmit ndaj së bijës që kishte humbur ndjenjat, nëna u kërkoi ndihmë fqinjëve duke menduar se ajo kishte humbur kaq shumë gjak sa kishte vdekur.
“Pasi i dhamë ndihmën e parë, e dërguam në Nwabshah, një orë e gjysmë larg nga këtu”, tha Lakhair. “Asaj i dhanë 10 qese me gjak, gjë që u sigurua nga policia. Për momentin është në duar të sigurta”.
Edhe pse i ati ndodhet në burg duke pritur dënimin, Shah mbrohet gjithë kohën nga policia në spital. “Babai im është kapur, por vëllait të tij i kanë dhënë liri me kusht. Kam shumë frikë”, përfundon vajza./tvklan.al