Shqipëria një vend mahnitës, jo vetëm për plazh, por edhe për ski. Prestigjozja britanike “The Guardian” i ka kushtuar një reportazh të gjatë skijimit në Alpet Shqiptare, vargmali që lidh tre shtete.

Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi bashkohen në Bjeshkët e Nemuna, duke ofruar ditë të mrekullueshme skijimi, shkruan Katy Dartford në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Guardian”.

Është e vështirë të dish saktësisht se në cilin vend ndodhesh kur je lart në Bjeshkët e Nemuna. Të njohura si Alpet Shqiptare, ky varg malor i thyer shtrihet nga Shqipëria veriore në Kosovën perëndimore dhe në verilindje të Malit të Zi. Alpet shqiptare premtojnë një aventurë larg shpateve të destinacioneve të zakonshme evropiane të skive, të tejmbushura me turistë.

Artikulli rekomandon se për të eksploruar dhe për të shijuar një udhëtim turistik për ski në këtë zonë, kërkohen aftësi të mira skijimi jashtë pistave dhe një nivel i mirë fitnesi për ngjitjet. Ndërkohë që nga ana tjetër premton aventurë larg nga shpatet e mbushura me njerëz, të destinacioneve të zakonshme të skive të Evropës.

Sipas artikullit, kjo zonë është pothuajse e pa prekur pasi tërheq 200 deri në 300 vizitorë gjatë sezonit dimëror, për shkak edhe të mungesës së infrastrukturës, pasi mungojnë teleferikët për skiatorët, apo hotelet ku ata mund të qëndrojnë, ndërkohë që nuk ka as pista të mirëfillta për ski. Strehimin dhe ushqimin tradicional ballkanik ata e sigurojnë në bujtinat e pakta të fshatrave rreth këtyre maleve.

Në artikull shkruhet se skiatorët që zgjedhin të eksplorojnë alpet shqiptare, guxojnë të ngjitur në maja që as guidat e zonës nuk i kanë eksploruar. Grupi i skiatorëve nisen drejt majës së Bardhë në zonën  Shqiptare, duke vijuar drejtë borës së bardhë të paprekur, në Qafën e Ali Pejës në Kosovë. Majat e këtyre maleve të ofrojnë një panoramë të maleve të thepisura dhe luginave të pacënuara, të cilat ofrojnë pamje të luginës së Dobërdolit dhe Valbonës në kufirin shqiptar.

Por destinacioni i tyre është Maja e Trekufirit, me një lartësi mbi 2366 m, ku takohen të tre kufijtë, Shqipëri, Mali i Zi dhe Kosovë dhe në pak sekonda mund të vizitosh tre shtete, ndërsa pamja që të ofrohet është përrallore, të lë pa frymë.

Klan News