Kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli ka dhënë edhe një herë garanci se shqiptarët do të lëvizin pa viza në zonën Shengen brenda këtij viti, ndaj dhe ka ftuar opozitën të bëhet pjesë e këtij procesi.
Jozefina Topalli: “Unë jam e bindur, është punuar fort, kemi plotësuar të gjitha detyrimet, po lobojmë fort dhe unë jam e sigurt se shqiptarët në 2010-n të lëvizin pa viza, por unë shfrytëzoj rastin për ta ftuar Partinë Socialiste për të qenë bashkëpunuese në çdo ligj, në çdo reformë që ne vazhdojmë të kemi në parlamentin e Shqipërisë”.
Kryeparlamentarja ka shtuar se dëmet e shkaktuara nga bojkoti i opozitës do të rikuperohen dhe se asnjë nuk do të ketë mundësinë të ndërpresë këtë proces.
Jozefina Topalli: “Jemi në momentin vendimtar kur Komuniteti Ndërkombëtar dhe Evropa po shikon se sa opozita po bashkëpunon në parlament për çuarjen përtej të reformave të tjera. E përsëris, liberalizimi i vizave do të bëhet. Askush nuk do të guxojë nga, që të pengojë këtë proces”.
Deklarata e Kryetares së Kuvendit vjen në një ditë historike për procesin e integrimit siç është dhe dorëzimi i përgjigjeve të pyetësorit të BE-së për statusin kandidat.
Jozefina Topalli: “Kjo është finalizimi i një pune të jashtëzakonshme të reformave të cilat janë të printuara në letër. Ato reforma që ne i kemi realizuar gjatë gjithë këtyre viteve nga parlamenti, nga qeveria, nga institucionet e tjera janë përmbledhur në librin i cili është rezultat i një pune jashtëzakonisht të madhe të administratës shtetërore”./tvklan.al
Gazetar: Eno Luarasi