Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur të dielën në darkë në Reggio Emilia të Italisë. 4 persona, të gjithë shqiptarë, kanë ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti automobilistik. Mediat shkruajnë se ka mbetur i plagosur edhe 1 person tjetër, i cili është dërguar në spital në gjendje të rëndë.

Mësohet se viktimat janë të moshave 22 vjeç, 12 vjeç, 8 vjeç dhe më i vogli, 2 vjeç. Sipas asaj që shkruajnë mediat, shoferi, i cili ndodhet në gjendje të rëndë ishte partneri i 22-vjeçares. Ata ishin prindër të fëmijës 2-vjeçar.

Të tjera media shkruajnë se dy fëmijët e tjerë, 8-vjeçari dhe 12-vjeçari që ndërruan jetë, ishin vëllezërit e 22-vjeçares.

4 viktimat dhe i plagosuri po udhëtonin me një makinë tip “Fiat Stilo”. Por rrugës drejt Parmës, shoferi ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me një shtëpi të pabanuar.

Shkaku i aksidentit është ende i paqartë. Megjithatë si pasojë e përplasjes dëmtimet ishin shumë të rënda. Makina u shkatërrua pothuajse e gjitha, ndërsa të gjithë fëmijët dhe gruaja nuk mundën t’i mbijetojnë dot plagëve.

Familja shqiptare u shua në aksident, nëna në gjendje të rëndë pas vdekjes së 3 fëmijëve dhe nipit

Një masakër! Kështu i referohen mediat italiane aksidentit tragjik që ndodhi të dielën në Reggio Emilia. 4 shqiptarë, mes të cilëve 3 fëmijë, ndërruan jetë pasi makina ku udhëtonin u përplas me një shtëpi.

Një 22-vjeçare u shua së bashku me vëllain 12-vjeçar dhe motrën 10-vjeçare. Tragjedia shtohet kur mediat kanë raportuar se 22-vjeçarja ishte nëna e djalit të vogël, rreth 2 vjeç, i cili është gjithashtu mes viktimave. I vetmi që mundi të shpëtojë, ishte shoferi, bashkëshorti i 22-vjeçares dhe babai i 2-vjeçarit. Ai u dërgua në gjendje të rëndë në spital.

Mediat shkruajnë se situata në vendin e ngjarjes ka qenë shumë e trishtë. Disa prej zjarrfikësve që u është dashur të nxjerrin nga mjeti trupat e pajetë nuk kanë mbajtur dot lotët përballë asaj që kanë parë. Ka qenë shumë e vështirë për ta, pasi makina tip “Fiat” kishte pësuar dëme të mëdha.

Operacioni për lëvizjen e mjetit ka zgjatur disa orë. Ndërkohë pasojat e tragjedisë dukeshin kudo. Në tokë ishin vendosur 4 çarçafë të bardhë. Një prej tyre shumë i vogël.

E gjithë qetësia u thye nga dy zëra. Dy të afërm, që mbërritën në vendin e ngjarjes, u paralajmëruan nga forcat e kërkim-shpëtimit. Fillimisht një burrë… Sapo pa çarçafët u ul në gjunjë dhe nisi të bërtiste: Çfarë ka bërë ai?

Pak pas tij shkoi një grua, e cila do të dëshmonte tragjedinë më të madhe të jetës. Nga ai aksident i ishin shuar 3 fëmijët dhe nipi. Dhimbja e saj ishe e papërmbajtshme. Është dashur ndërhyrja e mjekëve të urgjencës të cilët e kanë dërguar në spital pasi ajo ka qenë në gjendje të rëndë dhe nuk qëndronte dot në këmbë.

Tragjedia ndodhi mbrëmjen e së dielës në afërsi të Parmës. Sipas informacioneve të deritanishme, mjeti ku udhëtonin 5 personat u përplas me një shtëpi të pabanuar. Deri më tani mbeten të paqarta shkaqet e aksidentit të rëndë./tvklan.al