Teksa hetimi për shkaqet e tragjedisë ajrore në Korenë e Jugut vijon, ekspertët e aviacionit po ngrenë pyetje se çfarë roli mund të ketë luajtur një mur betoni në fund të pistës në Aeroportin Ndërkombëtar “Muan”.
Boeing 737-800 u përplas në një argjinaturë betoni dhe shpërtheu në flakë pasi u detyrua të bënte një ulje emergjente të dielën në mëngjes, duke vrarë 179 nga 181 personat në bord.
Piloti kishte njoftuar për goditjen nga zogjtë disa momente përpara se avioni të ulej në pistë. Autoritetet e Koresë së Jugut thonë se muri i betonit ishte ndërtuar sipas rregulloreve dhe ishte e ngjashme me strukturat e tjera në aeroporte në mbarë botën.
Megjithatë, disa ekspertë të aviacionit kanë vënë në dyshim zgjedhjen dhe vendosjen e murit, duke theksuar se tragjedia mund të ishte shmangur me një projektim më të mirë të aeroportit.
Klan News