Këtë të shtunë emisioni “Rudina” në Tv Klan na njohu me histori personale të disa personazheve publike për suksesin e tyre në karrierë. E ftuar ishte edhe gazetarja Anduena Llabani, e cila tha se suksesin e saj e lidh me zanafillën në profesion. Tashmë ajo mbush 26 vite si gazetare. Llabani kujtoi në studio tragjedinë e 9 Janarit dhe sfidat që pati për të raportuar atë ngjarje.
“Kam qenë fare e vogël, pata mësues shumë të mirë që më mësuan si të shkruaj dhe trajtoj një ngjarje. Do ta quaja veten me sukses në fushën e medias në tragjedinë e 9 Janarit. Më vjen keq ta them, por ishte një ngjarje që thumboi shumë shqiptarë në ekran për të parë se çfarë ka ndodhur. Nuk ishte e thjeshtë për një vajzë të vogël, unë isha gati 23 vjeç dhe më duhej që të raportoja për të gjithë situatën aty, madje më duhej të shikoja më shumë seç mbante organizmi, mendja, zemra e një vajze kaq të vogël, e cila kishte një mision në fund të fundit.
Ishin tre net pa gjumë, tre net në një mot shumë të keq, tre net duke sakrifikuar, edhe duke ndenjur pa bukë, pa ngrënë e pa pushuar, por mbi të gjitha duke riskuar edhe veten. Në atë kohë të mos harrojmë ishte një sfidë edhe me shtetin, jo vetëm me informacionin përkundrejt televizioneve të tjera që vrapuan në Vlorë për të raportuar çfarë ka ndodhur me 9 Janarin”, tha ajo.
Në tragjedinë e 9 Janarit, 28 shqiptarë u mbytën në ujërat e detit Jon. Ata banorë, kryesisht nga Shkodra ishin të moshës 15 deri në 33 vjeç./tvklan.al