Ka lindur djalë, por kurrë nuk është ndjerë si i tillë. Që në kopsht, e ka kuptuar se ishte ndryshe. Në moshën 12-vjeçare më në fund u përball me të vërtetën.
Kjo është Serafina, një transgjinore që jeton në Tiranë. Por ndryshe nga personat e tjerë si ajo, Serafina ka zgjedhur që të përballet me botën, duke mos jetuar në fshehtësi. Shprehet se nuk është mohuar nga familjarët apo shoqëria.
“Unë familjen time e kam mësuar me idenë që jam trans, unë jam ndryshe dhe do jem ndryshe gjithë jetën. Kam qene e pranuar gjithmonë nga familja, nuk është se kam pasur kundërshtim kur i kam thënë që unë jam trans, apo homoseksual. Kuptohesh, që në lëvizje, që në sjellje, kur je sadopak femërore”.
Serafina është pjesë e komunitetit LGBT dhe bashkë me te tjerët po përpiqet për të thyer stereotipet mbi gjininë apo seksualitetin.
“Ne jemi shumë, po nuk jemi shumë të dalur haptazi për shkak të paragjykimeve dhe familjeve. Por unë duke qenë se kam zgjedhur të dal haptazi, dua të jem zëri i shoqeve të mia, i gjithë problemeve të tyre, kur ata nuk dalin dot që të thonë ankesat e tyre, apo të drejtat e tyre, do të dal unë që t’i them për ato”.
Serafina tregon se mendimet e njerëzve mbi transgjinorët kanë filluar të ndryshojnë.
“Shqipëria e ka vetë në dorë ndryshimin. Unë mendoj se shqiptarët janë shumë liberal brenda vetes, thjesht kanë atë paragjykimin brenda vetes, që nëse unë pranoj dikë LGBT, mund të jem vetë LGBT”.
Ajo prej 5 vitesh bashkëjeton me të dashurin e saj që e ka pranuar si transgjinor.
“Për mua ai është gangster, me gjithë kuptimin e fjalës…”
Klan Plus