Trashëgimia e pasur etnografike e rajonit të Korçës e përcjellë në breza, erdhi në kohë, përmes një ekspozite që kishte në fokus kostumet popullore. Veshjet e burrave dhe grave të Korçës, Devollit, Kolonjës, Oparit dhe kostumi gati dy shekullor i Dardhës, u sollën të përpunuara me mjeshtëri në çdo detaj nga kostumografja Lirika Pojani.
Lirika Pojani, kostumografe: Jam munduar të sjell Korçën. Korça ka shumë kostume, gjithë qarku. Kam sjellë Kolonjën, kam sjell Dardhën që është simboli dhe sigurisht nuk do të mungonte në kostume Devollin, Oparin, Fusharaken. Kam sjell Kaçakun në tërë vërtetësinë e tij.
Kostumet të cilat janë veshur kryesisht në raste festash dhe gëzimesh, janë punuar mbi modelet e kostumeve autentikë të cilët edhe pse të pakët, ruhen si pasuri nga familjet korçare.
Pjesë e rëndësishme e veshjeve tradicionale ishin edhe zbukurimet dhe aksesorët, të cilët përshtateshin besnikërisht me modelet origjinale.
Lirika Pojani, kostumografe: Kostumi i Dardhës është punuar siç ka qenë në ato vite, në tre breza. E merrnin zonjat edhe në martesë, në pajë.
Zona e Korçës është e njohur për larmishmërinë dhe sharmin e kostumeve popullorë, traditë e cila synon të ripërtërihet për t’i shpëtuar harresës.
Klan News