Një biznesi në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë iu vendos lëndë plasëse mëngjesin e të dielës. Siç duket edhe nga këto pamje, dëmet e shkaktuara janë të shumta. Sipas policisë lokale, ngjarje ndodhi rreth orës 06:00, teksa biznesi ishte i mbyllur.

Kamerat e sigurisë kanë fiksuar një person të maskuar që ka vendosur lëndën plasëse dhe më pas është larguar. Pasi ka ndezur fitilin, autori është larguar me biçikletë. Në bazë të këtyre pamjeve, blutë e Vlorës janë duke punuar për të rënë në gjurmët e tritolvënësit.

Lokali, i cili shërben dhe si restorant e piceri kishte pak kohë që ishte mbyllur, dhe vetëm pak ditë më parë është hapur. Gjatë viteve të fundit, ambienti ishte dhënë me qira, por ishte marrë më pas për t’u përdorur nga pronarët.

Biznesi është në pronësi të familjarëve Bledar Birçajt, i cili është ekzekutuar në vitin 2021 po në qytetin e Vlorës.

Policia është duke verifikuar motivet e sulmit me lëndë plasëse, ku pjesë e hetimeve janë dhe dyshimet e ndonjë konflikti që mund të ketë patur Bledar Birçaj, i cili u ekzekutua 3 vite më parë teksa po lëvizte me automjetin e tij tip “BMW”.

Gjatë këtij viti sipas burimeve të policisë janë shkaktuar 27 shpërthime me tritol, ku rastet më të shumta janë regjistruar në Shkodër.

Klan News