Real Madrid mori një fitore të rëndësishme ndaj Real Sociedad në transfertë, me rezultatin 0-2, në ndeshjen e vlefshme për javën e pestë në La Liga.
Madrilenët vuajtëm jo pak, me ndeshjen që u vendos nga dy penallti, të kthyera në gola nga Vinicius Junior në minutën e 58-të dhe Kylian Mbappe në minutën e 75-të.
Pas ndeshjes, trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti, deklaroi se ishte një ndeshje e komplikuar dhe ishte i sinqertë, duke thënë se ndoshta ekipi i tij nuk e meritoi fitoren.
Megjithatë, tekniku italian, nuk i kurseu vlerësimet për lojtarët e tij, për 3 pikët e marra.
“Ishte një lojë e komplikuar dhe ndoshta nuk e meritonim të fitonim sepse Real Sociedad luajti shumë mirë, por ne duruam, vuajtëm dhe ishim të përkushtuar, gjë që e vlerësoj shumë. Nuk mund të gjesh gjithmonë sakrificë në një skuadër me kaq shumë cilësi dhe sot e kemi bërë.
Ne nuk jemi në 100%, por individualisht lojtarët janë duke u përmirësuar shumë. Jemi shumë të lumtur sepse gjëja e rëndësishme ishte që të nisnim mirë në këtë seri ndeshjesh. Kur ju mungojnë katër mesfushorë dhe ne nuk jemi 100%, është shumë e vështirë të gjesh ekuilibrin. Puna e mesfushorëve që luajtën sot, Modric, Valverde dhe Arda Guler, ishte shumë e mirë, diçka që unë e vlerësoj shumë”, deklaroi Ancelotti.
Pas fitores, Real Madrid mban vendin e dytë në renditje me 11 pikë të grumbulluara, 1 më pak se Barcelona kryesuese, por katalanasit kanë një ndeshje më shumë për të luajtur. /tvklan.al