Kur kanë mbetur më pak se një muaj nga gara presidenciale, kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë ashpërson retorikën kundër emigrantëve. Gjatë një takimi në Kolarado, Trump tha se nëse ai merr presidencën do të kërkojë dënim me vdekje për ato emigrantë të paligjshëm që vrasin shtetasit amerikanë.

“Ne do të fillojmë operacionin më të madh të dëbimit në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe do të mbyllim kufirin. Nëse ata kthehen në vendin tonë, do të kenë një dënim me dhjetë vjet burg pa mundësi lirimi me kusht. Unë po bëj thirrje për dënim me vdekje për çdo emigrant që vret një shtetas amerikan ose një oficeri të  zbatimit të ligjit.”

I rrethuar nga postera të anëtarëve të bandës kriminale venezueliane Tren de Aragua, Trump tha gjithashtu se nëse zgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë ai do të nisë të ashtuquajturin “Operacion Aurora” për të shënjestruar anëtarët e bandës.

Çështja e emigracionit të paligjshëm si një nga shqetësimet më kryesore të votuesve shihet si një nga kartat më të fuqishme të Trump në këtë fushatë elektorale përballë kandidates demokrate Kamal Harris.

Ish-presidenti fajësoi Harrisin dhe presidentin Biden për lejimin e emigrantëve pa dokumente në SHBA, duke akuzuar disa emigrantë se duan të “përdhunojnë, plaçkisin, vjedhin dhe vrasin njerëzit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Tv Klan