Nga avioni i tij Force One, Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se do të zhvillojë të martën një bisedë me Presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar çështjen e armëpushimit.
“Mendoj se po ecim shumë mirë me Rusinë. Do të shohim nëse kemi diçka për të shpallur, ndoshta deri të martën. Do të flas me Presidentin rus Valdimir Putin të martën. Shumë, shumë punë janë bërë gjatë fundjavës. Ne duam të shohim nëse këtë luftë mund ta mbyllim”, u shpreh Donald Trump.
Trump po përpiqet të fitojë mbështetjen e Putinit për një propozim armëpushimi 30-ditor që Ukraina e pranoi javën e kaluar, pasi të dyja palët vazhduan të shkëmbejnë sulme të rënda ajrore gjatë fundjavës dhe Rusia po vijon të largojë forcat ukrainase nga rajoni perëndimor rus i Kurskut.
“Epo, unë mendoj se do të flasim për tokën. Është shumë më ndryshe nga sa ishte para luftës, siç e dini. Do të flasim për termocentralet. Kjo është një, është një pyetje e madhe, por mendoj se kemi shumë prej tyre për të diskutuar”, tha Trump.
Ndërkaq nga ana tjetër, Rusia ka bërë të ditur se do të kërkojë garanci “të hekurta” në çdo marrëveshje paqeje për Ukrainën se vendet e NATO-s do të përjashtojnë Kievin nga anëtarësimi dhe se Ukraina do të mbetet neutral.
Zëvendësministri i Jashtëm rus Aleksandër Grushko në një intervistë për mediat ruse u shpreh se çdo traktat paqeje afatgjatë për Ukrainën duhet të përmbushë kërkesat e Moskës.
“Nuk ka rëndësi se me çfarë trupash do të vendosin kontigjentet e NATO-s në territorin ukrainas ose qoftë Bashkimi Evropian. Ne mund të flasim më vonë për vëzhgues të paarmatosur, një mision civil që do të monitoronte zbatimin e kësaj marrëveshjeje, ose mekanizma garantues”, tha Grushko.
Zv/ministri i jashtëm rus, u shpreh se aleatët evropianë të Kievit duhet të kuptojnë se vetëm përjashtimi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe eliminimi i mundësisë së vendosjes së kontigjenteve të huaja ushtarake në territorin e saj do të funksionojë.
Britania dhe Franca kanë thënë të dyja se janë të gatshme të dërgojnë një forcë paqeruajtëse për të monitoruar çdo armëpushim në Ukrainë. SHBA ka bërë presion për një armëpushim në Ukrainë, por Rusia nuk ka dhënë një qëndrim të prerë, përkundrazi ka insistuar në kushte të ndryshme.
Ndërkohë, sulmet ruse dhe ukrainase me dronë vazhduan gjatë natës. Forcat Ajrore të Ukrainës bën të ditur se Rusia sulmoi vendin me 174 dronë duke shkaktuar dëme dhe mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi 90 dronë.
Gjithashtu në Rusi, një sulm me dron ukrainas gjatë natës kishte në shënjestër objektet energjetike dhe objekte të tjera në rajon.
Klan News