Për të biseduar rreth vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë emisari i ri i Bashkimit Evropian Peter Sorensen ka qëndruar në Kosovë ku ka takuar krerët e institucioneve. Pas takimit që zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti ai i ka quajtur “fillim të mirë” bisedimet me krërët e institucioneve. Sorensen ka deklaruar se procesi i dialogut ka sjellë me vete shumë zhvillime në të cilat duhet punuar.
“Kemi pasur një bisedë rreth mënyrës se si procesi mund të vazhdojë dhe të ecë përpara, kështu që është një fillim i mirë. Qëllimi, sigurisht, është që procesi të vazhdojë dhe të avancojë. Do të shkoj edhe në Beograd dhe sapo t’i zhvilloj bisedat e para me liderët, do të ulem dhe të vlerësoj ku jemi”, shprehet emisari i ri i Bashkimit Evropian Peter Sorensen
Derisa është pyetur për kompromise, ai ka thënë se kjo u takon palëve ta përcaktojnë.
“U takon palëve ta përcaktojnë nëse nevojiten kompromise apo jo, por dialogu është pikërisht për këtë dhe këtë kemi bërë që nga viti 2011”, thekson Sorensen.
Ai paraprakisht ka takuar presidenten Vjosa Osmani. Sipas Presidencës, ajo ia ka paraqitur emisarit evropian vërejtjet për Draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Osmani thuhet se ka konfirmuar përkushtimin e Kosovës ndaj procesit të lehtësuar nga BE-ja.
Tv Klan