Nga Teksasi kandidatja demokrate, Kamala Harris zgjodhi të flasë per abortin. Jo pa arsye pasi është vendi i parë që zbatoi ligjin për ndalimin e abortit dhe nuk ka mbështetur asnjë kandidat demokrat që nga viti 1976.
“Texas, ajo që po ndodh në këtë shtet dhe vendin tonë është një krizë e kujdesit shëndetësor. Dhe Donald Trump është arkitekti i saj.”
Nga ana tjeter kandidati republikan Donald Trump, zhvilloi fushate në Michigan.
Ish-presidenti kritikoi Harris, për fushatën në Hjuston ku të pranishëm ishin një sërë emrash të njohur të shoubizit si Beyonce, Kelly Rowland, Willie Nelson dhe Jessica Alba ndërsa Izraeli kryente sulme hakmarrëse ajrore kundër Iranit.
“E dini, ku ndodhet ajo sonte? Ajo është atje për të festuar, por Izraeli po sulmon. Ne kemi një luftë që po zhvillohet dhe ajo është duke festuar. Të paktën ne po punojmë për ta bërë Amerikën përsëri të madhe.”
Ish-presidenti argumentoi se lidershipi në Uashington mungonte në një moment veçanërisht të rrezikshëm për botën.
“Joe Biden është në gjumë dhe Kamala është në një festë me Beyonce.” u shpreh ai.
Sulmet janë shtuar pasi gara është shumë e ngushtë. Kandidatja demokrate Kamala Harris dhe rivali i saj republikan Donald Trump kanë një mbështetje të barabartë në elektoratin amerikan, me 48% secili përsa i përket votës popullore për zgjedhjet presidenciale të 5 Nëntorit në SHBA, sipas një sondazhi të fundit të gazetës New York Times dhe Kolegjit Siena të publikuar të premten.
Zgjedhjet presidenciale të këtij viti mund të përcaktohen nga një numër i vogël votuesish.
Klan News