Presidenti amerikan Donald Trump tha sot se dëshironte të takonte homologun e tij rus Vladimir Putin së shpejti për t’i dhënë një fund luftës pothuajse 3-vjeçare me Ukrainën. Në një adresim online për forumin Ekonomik Botëror të Davosit, kreu i Shtëpisë së Bardhë e quajti të kotë humbjen e jetëve të njerëzve në këtë konflikt.
“Unë në të vërtetë do të doja të jem në gjendje të takohem me Presidentin Putin së shpejti për t’i dhënë fund asaj lufte. Dhe kjo nuk është vetëm nga pikëpamja e ekonomisë apo ndonjë gjë tjetër. Nga pikëpamja e miliona jetëve që po humbasin… Është një masakër. Dhe ne me të vërtetë duhet ta ndalojmë atë luftë.”
Trump tha se SHBA ka nisur përpjekjet për një marrëveshje paqeje, por nuk dha më tepër detaje. Pak përpara se të fitonte zgjedhjet e 5 nëntorit, Trump premtoi dhjetëra herë se do të kishte një marrëveshje midis Ukrainës dhe Rusisë që në ditën e tij të parë në detyrë, nëse jo edhe më herët. Por këshilltarët e tij tani pranojnë se lufta do të kërkojë muaj për t’u ndalur. Pas hyrjes në Shtëpinë e Bardhë Tramp ka paralajmëruar sanksione ndaj Moskës nëse ajo nuk ulet në bisedime me Kievin.
Tv Klan