Trump nënshkruan urdhrin e ri ekzekutiv për pandeminë

Përjashtim të përkohshëm nga pagesa e taksave për të gjithë ata persona që kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë së Covid-19. Është një nga disa lehtësira financiare që presidenti amerikan Donald Trump i krijoi kësaj kategorie nevojtarësh me urdhrin e ri ekzekutiv që nënshkroi, nga klubi i tij privat i golfit në Neë Jersey.

Ky urdhër parashikon mbi 160 mijë personave që kanë mbetur të papunë gjatë kësaj periudhe, t’u jepet çdo javë nga 400 dollarë pagë, 200 më pak se ç’merrnin deri në Korrik, kur skadoi rregullorja e mëparshme që kishte hyrë në fuqi prej fillimit të pandemisë.

Megjithatë, me urdhrin e ri ekzekutiv, ata kanë përfitime të tjera. Qiramarrësit që kanë vështirësi në pagesat e qirave mujore do të ndihmohen nga shteti. Po ashtu për këtë periudhë, Trump vendosi edhe shtyrjen e pagesës së kësteve të kredive studentore.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë vendosi që nga fondi i krijuar prej tatimit që u merret nga paga punonjësve që fitojnë më pak se 100 mijë dollarë në vit, të papunëve t’u paguhen ditët e pushimeve.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë premtoi se të tjera benefite do të përfitohen nga punonjësit, nëse ai fiton mandatin e dytë presidencial në zgjedhjet e Nëntorit.

Trump i vendosi në fuqi këto masa përmes një urdhri ekzekutiv, pasi republikanët e tij dhe demokratët nuk po gjejnë konsensus për paketën e re financiare në këtë situatë krize. Demokratët propozojnë 3 miliardë dollarë në ndihmë të ekonomisë.

Ndërsa republikanët kanë propozuar rreth 1 miliard, duke akuzuar demokratët se në paketën e tyre, përfshijnë edhe qindra mijëra emigrantë të hyrë ilegalisht vitet e fundit, çka do ta rëndonte borxhin publik amerikan.

Numri i të prekurve nga COVID-19 arriti këtë të diel në mbi 5 milionë, mes të cilëve 165 mijë kanë humbur jetën.

Tv Klan